Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden i bëri thirrje presidentit të zgjedhur Donald Trump që të rritet dhe kritikoi sulmet e tij ndaj komunitetit të inteligjencës. Gjatë ditës së sotme, Trump do të informohet për dyshimet se Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane, akuza mbi të cilat miliarderi ka hedhur mjaft dyshime.

“Është një gjest absolutisht pa mend, kur presidenti nuk ka besim dhe nuk dëgjon agjencitë e inteligjencës, që nga ato të Mbrojtjes e deri te CIA. Është si të thuash që e njeh fizikën më mirë se profesori yt, madje edhe pa hapur librat. Donald, është koha të rritesh, sepse je President. Është koha të tregosh se sa vlen”, deklaroi Biden, i cili shtoi se lexoi një raport të agjencive amerikane të inteligjencës, që tregon shtrirjen e përfshirjes ruse në zgjedhje.

Një version i përpunuar i raportit do të bëhet publik javën e ardhshme, por Biden deklaroi se në të shkruhet qartë, që rusët u përpoqën të ndikojnë dhe diskreditojnë procesin elektoral amerikan.

Sipas zëvendëspresidentit amerikan, sulmet kibernetike ishin pjesë e një fushate sistematike për të dëmtuar Hillary Clintonin. Rusia i ka mohuar gjithnjë këto akuza dhe zyrtarë rusë thonë se këto janë justifikime të demokratëve për të larguar nga vetja përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve.