Tetë vjet pasi i mbylli llogaritë me drejtësinë, duke marrë pafajësinë për veprën penale të pastrimit të parave, emri i biznesmenit Damir Fazliç duket se është rikthyer sërish në regjistrat e prokurorisë.

Buritme të TCH thanë se është Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Tiranë që ka dorëzuar një javë më parë një kallëzim pranë njësisë task forcë.

Sipas burimeve, në raport përmendet një shoqëri e themeluar në Shqipëri në vitin 2005 me ortak dhe zotërues të vetëm serbo-boshnjakun Damir Fazliç.

Përmes kësaj shoqërie, me aktivitet tregtar në fushën e projekteve të zhvillimit urban dhe të ndërtimit, ka dyshime se mund t’i jetë shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 2 milionë eurosh, duke ndjekur një skemë mashtrimi me rimbursimet fiktive.

Sipas raportit ka dyshime se kjo skemë është aplikuar gjatë vitit 2011, ndërkohë që nën hetim përveç dyshimeve për mashtrim janë edhe disa punonjës të mëparshëm të Tatimeve. Ata dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën dhe falsifikuar dokumentat.

Emri i Fazliç është denoncuar shpesh nga opozita socialite në atë kohë për përfitime dhe privatizime të paligjshme të pronave në vendin tonë. Në valën e këtyre akuzave, Prokuroria e Tiranës çeli hetimet kryesisht mbi dyshimet e pastrimit të parave.

Megjithëse prokuroria pretendoi se përmes një shoqërie të regjistruar në gjykatë Fazliç kishte kryer transaksion me 1.7 milion euro fitime, kjo kompani u dyshua se nuk kishte kryer asnjë aktvitet në Shqipëri.

Në përfundim të gjykimit u konkludua se Damir Fazliç ishte i pafajshëm me argumentin e mos vërtetimit se ai kishte kryer ndonjë vepër penale në vendin tonë.
13 dhjetor 2016 (gazeta-Shqip.com)