Në kohën kur asnjëra nga partitë politike apo koalicionet e mundshme nuk sigurojnë dot shumicën e dyfishtë në parlament, Prokuroria Speciale do të vazhdojë të qëndrojë në këmbë të qelqta. Pavarësisht se ligji për PSP-në vlen deri në vitin 2020, afati i kufizuar prej 18 muajve për ngritjen e akuzave sipas ekspertëve juridikë doemos të vazhdohet pasi Specialja përballet me një sërë veprash të rënda kriminale për zgjidhjen e të cilave ka nevojë për më shumë kohë. Megjithatë sipas profesores Besa Arifi, një gjë e tillë mund të arrihet vetëm përmes një marrëveshjeje të gjerë politike.

“Pa një konsensus të tillë politik, është shumë e vështirë që ky mandat të vazhdohet për shkak se do të pranohet ai interpretim që ky ligj, pasi është sjellë me 2/3 e votave duhet me po të njëjtën shumicë parlamentare të ndryshojë. Kjo i bie që duhet patjetër një konsensus i ri mes partive politike ose një marrëveshje e re ndoshta “Përzhinë 3”, pra është me rëndësi që subjektet të kenë një konsensus politik për ta vazhduar këtë mandat”, është shprehur profesoresha, Besa Arifi.

Në mungesë të votave të nevojshme në parlament, sipas profesores Besa Arifi, një mundësi për zgjatjen e jetës së Speciales do të ishte edhe funksionimi i saj në kuadër të Prokurorisë Publike.

“Për t’u bërë kjo, duhet bërë ndryshim edhe në kuadër të ligjit për prokurori publike dhe një ndryshim i tillë është shumë më i lehtë se sa të ndryshohet ligji për prokurorinë speciale dhe do të bëhej me një shumicë të thjeshtë parlamentare ashtu siç kërkohet një shumicë e thjeshte parlamentare për zgjedhjen e prokurorit publik shtetëror dhe në këtë drejtim, do të kishte mundësi edhe prokuroria speciale të kalojë në një fazë tjetër dhe të inkorporohet pikërisht në një institucion të përhershëm shtetëror” ka shtuar profesoresha, Besa Arifi.

Nga ana tjetër, edhe formimi i dhomave speciale në kuadër të Gjykatës Penale me qëllim të zhbllokimit të rasteve të Speciales, sipas ekspertëve, nuk mund të realizohet pa 2/3 e votave. Në një situatë të tillë, ata sugjerojnë që politika t’i heq duart nga gjyqësori në mënyrë që gjykatësit të mund të funksionojnë pa presione. /alsat-m/