Të premten në ora 13:00 do të mbahet seanca konstituive e përbërjes së re parlamentare. Seancën do ta caktojë dhe me të do të udhëheq kryetari i Parlamentit, Trajko veljanovski.

Në afat prej 10 ditëve që nga konstituimi i Kuvendit, Presidenti i vendit është i obliguar që mandatin për përbërjen e re të Qeverisë të ia dorëzojë kandidatit të partisë, gjegjësisht partive të cilat kanë marrë shumicën e mandateve në Kuvend.

Përbërja e nëntë parlamentare do të ketë 120 deputetë. Më tepër mandate ka fituar koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE 51, koalicioni i kryesuar nga LSDM 49 mandate, BDI 10, Besa 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH  2. Nuk do të ketë deputetë nga diaspora për shkak të numrit të pamjaftueshëm të votave.

Kryesuesi me seancën e parë emëron dy nga deputetët e zgjedhur të cilët sipas nevojës e zëvendësojnë në udhëheqjen me seancën, pastaj me thirrje të deputetëve e konfirmon numrin e deputetëve të pranishëm.

Kuvendi mund të konstituohet nëse në seancë marrin pjesë shumica e deputetëve të zgjedhur, ndërsa pasi që të konfirmohet kuorumi, zgjidhet kryetari dhe anëtarët e Komisionit për verifikim të Kuvendit, të cilët do t’i verifikojnë mandatet.

Kuvendi nga radhët e deputetëve zgjedh kryetar dhe nënkryetar të Kuvendit.