Kërkesa e LR-PDSH-së për unifikimin e tri subjekteve politike që janë pjesë e “Aleancës për Shqiptarët” në një subjekt të vetëm politik me po të njëjtin emër është kundërshtuar ashpër nga kryetari i RDK-së, Vesel Memedi. Ai thotë se nisma për shkrirje nuk është miqësore duke lënë të nënkuptohet se RDK do të mbetet jashtë partisë së re.
“Ne u dëshirojmë sukses, secilit subjekt politik duke përfshi edhe LR-PDSH, për shtrirjen dhe zgjerimin e tyre ,por nuk është e sinqertë dhe korrekte, dhe as  partneritet i mirë nës tenton të shkrishë miqtë dhe bashkëmendimtarët  e këtij rrugëtimi 2 vjeçar.” – deklaroi Vesel Memedi, RDK.

Ndryshe nga RDK-ja, partia Uniteti e Gëzim Ostrenit mbështet unifikimin e koalicionit në “Aleancën për Shqiptarët”. Edhe LR-PDSH-ja pret konstruktivitetin e partnerëve në nismën e unifikimit. .

“E përshëndes vendimin e Kuvendit të LR-PDSH ,dhe vendimin e zotit Sela dhe jua  rikujtoj aktorëve politik që ti mbajmë premtimet të cilat i kemi dhënë,kur e krijuam Aleancën për Shqiptarët,që ti dalim zot fjalës që e kemi dhënë para votuesve shqiptarë – tha Zulfi Adili,Uniteti.

Mendojmë që një unifikim i tre forcave politike në një subjekt politik, do ta bënte më të lehtë funksionimin dhe bashkërendimin e qëndrimeve politike si një qëndrim i vetëm politik – u shpreh Elmir Sejfullai, LR-PDSH.

LR PDSH dhe Uniteti besojnë se unifikimi nën logon e “Aleancës për Shqiptarët” do të sjellë rezultate edhe më të mira në zgjedhjet e ardhshme./Alsat-M