“25 dhjetori”, e diellja ku i gjithë fokusi politik si shqiptarë po edhe maqedonas, do të përqëndrohet në një vendvotim të fshatit Tearcë. Pra ky rivotim në vendvotimin 2011 shumë lehtë mund të sjell në ndryshim të rezultatit zgjedhor dhe epërsia e VMRO-së ndaj LSDM-së prej 51-49 të barazohet 50-50 deputetë. Mirëpo para se të ndodh kjo LSDM duhet të marrë thuajse të gjitha votat në këtë vendvotim, gjegjësisht mbi 300 vota të shqiptarëve. Andaj në këtë formë, është hapur dilema nëse shqiptarët e Tearcës duhet t’ia japin votën LSDM-së, apo duhet të votojnë normal pa mos i tanguar interesi i LSDM-së, dhe kështu ta vendosin në sprovë BDI-në, që ta shohin a ka fuqi dhe guxim ti kthejë shpinën fitueses në këtë rast, VMRO-së?

Sipas politikologut Xhenis Sulimani, është fat që shqiptarët të mund të vendosin me krenari ta varrosin politikën nacionaliste të ish kryeministrit Nikolla Gruevski, ndryshe kapaciteti BDI-së u pa se sa lehtë mund të përshkallëzohet në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Ndryshe sipas tij shqiptarët duhet të votojnë pro LSDM-së me qëllim që t’i pamundësohet VMRO-së pozicioni i të qenurit mandatari i parë.

“Unë mendoj se shqiptarët duhet t’i thonë JO! regjimit të Nikolla Gruevskit. Fatmirësisht këtë punë në dorë e kanë shqiptarët dhe është një sfidë që shqiptarët me krenari të varrosin një politikë anti-shqiptare që u udhëhoq dekadës së fundit, e ndihmuar shpesh edhe nga BDI. Vota duhet të shkojë pro LSDM-së me qëllim që t’i pamundësohet VMRO-s pozicioni i të qenurit mandatari i parë. Nuk është çështje që duhet të matet kapaciteti i BDI-së, për faktin se 11 dhjetori ishte fakti më i madh se ku është BDI dhe sa peshon te shqiptarët”, deklaroi për Almakos, Xhenis Sulimani.

Nga ana tjetër edhe gazetari Memedali Jusufi, është i mendimit se të diellën shqiptarët duhet ta votojnë LSDM-në, dhe këtë mesazh ta kupton BDI, që në të ardhmen të dijë kah të orientohet për koalicionimet qeveritare.

“Fuqia votuese mbase nuk mund të vendos menjëherë në sprovë BDI-në, vlersojë se duhet të votohet LSDM-ja që sinjifikon automatikisht një presion edhe ndaj BDI-së. Pra ky variant është më i besueshëm që ti thuhet jo bashkqeverisja me VMRO-në. Kështu në mënyrë indirekte ti bëhet me dije BDI-së, se nga duhet të drejtohet ajo në koalicion eventual”.