Banorët e Astirit në Tiranë të cilët preken nga projekti i Unazës së Madhe protestuan sërish sot para dyerve të bashkisë.

Ata patën një përplasje me policinë, pasi tentuan të hyjnë me forcë në bashki duke kërkuar një takim me kryebashkiakun Veliaj.

Policia ka ndërhyrë duke i ndaluar dhe duke i shtyrë larg derës.

Në mbështetje të protestuesve u shfaq dhe një prej anëtarëve të këshillit bashkiak të Tiranës, i cili i drejtoi një ultimatum 48 orësh kreut të këshillit bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, për të negociuar me banorët.

Anëtari i Këshillit bashkiak: Në këtë moment Erion Veliaj ka humbur të drejtën të jetë kryetari juaj i bashkisë, ka humbur të drejtën të protestojë bashkë me ju për të drejtën që ju keni. Ju nuk jeni qytetarë të jashtëligjshëm të Tiranës. I bëj ftesë kryetari të këshillit bashkiak të vijë të bisedojë me përfaqësinë e protestuesve për të gjetur një zgjidhje, gjithmonë ka një zgjidhje. Kryetar i këshillit bashkiak ke 48 orë kohë për të biseduar me protestuesit ndryshe nuk do të ketë më këshill bashkiak.