Kandidatja për deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Refiqe Tërnava-Beka, ka treguar se kë e konsideron ajo aleatin më të madh të Kosovës.
“Aleati më i madh i Kosovës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne duhet të nisemi prej asaj, prej thënieve tona që ai i cili nuk e falënderon njeriun nuk e ka falënderuar as Zotin. Ne i jemi falënderues njerëzve të cilët na kanë shpëtuar nga tërë ajo torturë që kemi pasur gjatë periudhës së luftës dhe do të jemi gjithnjë falënderues ndaj tyre”, ka thënë Tërnava-Beka për konica.al.

E pyetur se si e gjykon atë që ndodhi në Londër të shtunën, ku një akt terrorist, në emër të ideologjisë islame, i mori jetën disa personave, Tërnava-Beka është përgjigjur duke thënë se askush nuk mund të thirret në emër të fesë për të mbytur njerëz të pafajshëm.

“Unë fillimisht shpreh dhimbjen time më të madhe për ata njerëz të cilët kanë humbur jetën dhe shërim sa më të shpejtë të atyre të plagosurve që ishin. Unë e dënoj ashpër një sulm të tillë terrorist nga kushdo që bëhet ai. Nuk mund të thërrasësh në emër të fesë për të mbytur njerëz të pafajshëm, ngase feja nuk e lejon një gjë të tillë, asnjë lloj feje nuk e lejon mbytjen e tillë. Dhe, unë thash edhe më herët: terroristët nuk kanë fe, terroristët nuk kanë racë, terroristët janë vetjak në atë ideologji të tyre apo në mentalitetet e tyre, që besoj janë të sëmurë”, ka deklaruar ajo.