Derisa deponia në hyrje të qytetit po pastrohet dhe pjesërisht është rrethuar me tela, në Tetovë po formohet një deponi tjetër edhe më e rrezikshme se kjo e para. Grumbullimi i mbeturinave bëhet mbi urë në hyrje të qytetit, ndërsa pjesë përbërëse e mbeturinave janë edhe copa të mëdha betoni dhe gurrë, që rrezikojnë edhe shembjen e urës.
Ndërmarrja Publike komunale arsyetohet se kjo është bërë nga disa qytetarë të pandërgjegjshëm, por edhe përkundër premtimit të dhënë javë më parë, nuk kanë sqarim përse nuk largohen këto hedhurina nga ura.

Punëtorët na lajmëruan se afër deponisë është krijuar edhe një mini deponi e cila edhe neve na habiti, sepse qytetarë të pandërgjegjshëm mbrëmjen e së dielës kanë hedh mbeturinat në këtë pjesë, dhe ne e lajmëruam menjëherë tek inspektorët komunal. Ne kemi marrë aktivitet dhe mbeturinat menjëherë do i largojmë prej vendit këtu sepse ky është vendkalim. Nuk e di se kush e ka bërë këtë krim – deklaroi Nazif Jashari, NPK Tetova.
Përkundër premtimeve edhe vendosja e shpejtë e gurrë-themelit të sallës për grumbullim dhe selektim të mbeturinave në Tetovë, ende nuk është përmbushur. Një gjë e tillë u premtua të realizohet muaj më parë, por ende s’ka asnjë rezultat.

Kundër këtyre akteve nuk ka reaguar as Prokuroria e Tetovës, e ka për obligim që të hap lëndë për këto raste. Ata vazhdojnë të heshtin dhe të mbyllin sytë para këtyre fenomeneve të rrezikshme për banorët./alsat-m