Nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi ka thënë se presin reflektim korrekt nga LSDM-ja dhe vlerëson se në përgjithësi, ka vullnet të përbashkët për t’u arritur një marrëveshje, sa i takon bisdedimeve mes dyja partive.

“Normalisht që çështja e përdorimit të gjuhës por edhe e platformës së partive politike shqiptare është shumë e rëndësishme jo vetëm për BDI-në por për të gjitha partitë shqiptare dhe shpresojmë që të ketë reflektim të drejtë duke pasur parasysh faktin që integrimi euro-atlantik i vendit varet shumë nga ajo se si do të ecë formimi i Qeverisë së ardhshme.

Unë këtë atmosferë të bisedimeve e kam vlerësuar si konstruktive. Ka zgjatur më shumë meqenëse ka pasur shumë detaje dhe dëshira në kuptimin e tejkalimit të dallimeve por jam shumë e bindur se vullnet të përbashkët ka për të arritur një marrëveshje”, ka thënë Arifi, nënkryetare e BDI-së, njofton Alsat-M.

Ndërkohë, LSDM-ja po shqyrton vërejtjet e para nga BDI-ja dhe LR PDSH-ja sa i takon propozimeve të partisë së Zoran Zaevit për kushtet e formimit të Qeverisë së re. Kreu socialdemokrat deklaroi se nuk do të kundërshtojnë asnjë kërkesë që është në pajtim me Kushtetutën dhe në shërbim të nevojave të përditshme të shqiptarëve.