Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka dashur të deklarohet nëse muri në veriun e Mitrovicës do të rrënohet sot, ashtu siç është paraparë me rezolutën e miratuar para një muaji në Kuvendin e Kosovës.

Thaçi është shprehur se gjatë bisedimeve në Bruksel më 1 shkurt nuk do të diskutohet lidhur me murin. Kjo ngase, sipas tij, është çështje e brendshme e Republikës së Kosovës.

“Si shtet jemi shumë të vetëdijshëm që sot është dita e fundit e afatit për rrënimin e murit. Rezoluta e Kuvendit duhet të zbatohet me përpikëri. Kjo çështje nuk do të diskutohet me autoritetet e Beogradit. Është çështje e brendshme dhe në kompetenca të autoriteteve vendore”, ka thënë Thaçi.

Ai nuk është deklaruar lidhur me atë se a do të marrë pjesë në raundin e ardhshëm të bisedimeve.

Këto komente Thaçi i bëri në përvjetorin e 20-të rënies heroike të Zahir Pajazitit.