Themelimi i ushtrisë së Kosovës është domosdoshmëri për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon, ka deklaruar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. “Transformimin e bëjnë të nevojshme edhe zhvillimet në rajon dhe nevoja që Kosova t’i forcojë mekanizmat mbrojtëse të vendit. Kurse ngurrimi i Bashkimit Evropian që të përshpejtojë integrimin e Kosovës dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor, u ka hapur rrugë ndikimeve tjera në rajonin e Ballkanit”, ka thënë Thaçi. “Këto ndikime tjera, janë kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, prandaj është urgjente që FSK të avancojë në misionin dhe detyrat e saj”, është shprehur Thaçi. Formimi i ushtrisë, sipas tij, bëhet për ngritur kapacitetet dhe për t’u mbrojtur nga kërcënimet e ardhshme për Kosovën dhe rajonin. Thaçi përsëriti se transformimi i FSK-së në ushtri përmes ndryshimeve kushtetuese është bërë i pamundur, për shkak të kundërshtimeve të Listës Serbe, e cila përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me 11 deputetë. Si zgjidhje alternative, Thaçi tha se ka vendosur që transformimi nga misioni civil në atë ushtarak, të bëhet përmes ligjit. Thaci tha se i garanton partnerët ndërkombëtarë se i gjithë procesi i transformimit do të zbatohet në koordinim me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.