Timothy Less, drejtor i Nova Europa, një konsulencë e riskut politk, si edhe ish-diplomat britanik në Ballkan, përsëri ka dalë me tezën e tij se zgjidhja më e qëndrueshme në Ballkan është krijimi i Shqipërisë së Madhe, Serbisë së Madhe dhe Kroacisë së Madhe.

Less propozon që të ndryshohen kufijtë e Ballkanit, ndërkaq rolin kryesor në këtë drejtim duhet ta ketë SHBA-ja. Ai konsideron se serbët dhe kroatët në Bosnjë punojnë për të sfiduar Marrëveshjen e Dejtonit, ndërkaq shtonë se shqiptarët në Maqedoni bëjnë thirrje për federalizim të vendit. Less përmend edhe serbët e Kosovës që insistojnë në enklava vetëqeverisëse, duke mos lënë anash edhe shqiptarët e Preshevës për një entitet vetëqeverisës.

Ish-diplomati Less propozon që Washingtoni të mbështetë ndarjen e shteteve shumëetnike ku minoritetet kërkojnë diçka më tepër se që e kanë. Kështu, sipas Less, kroatët në Bosnjë do të bashkoheshin me Kroacinë, kurse serbët me Serbinë; Veriu i Kosovës do të bashkohej me Serbinë, ndërkaq Lugina e Preshevës, Kosova e mbetur, një pjesë e Maqedonisë do të duhej t’i bashkoheshin Shqipërisë. Dhe, Mali i Zi duhet të mbetet shtet i pavarur, ose të bashkohet me Serbinë, duke e humbur një pjesë territori shqiptar.

Më tej ai për Maqedoninë rekomandon recetën e pakicës shqiptare që të marrë një formë të pavarësisë apo federalizim dhe pastaj shqiptarët të bashkohen me atdheun e Shqipërisë.

Timothy Less, i cili tani e drejton “Evroa e Re” thotë se në vendosjen e kufijve ka pasur tre skenarë. Ai thotë se më të mirën për Ballkanin do të mund ta zgjidhnin Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Rusia dhe Turqia me ndihmë të SHBA-ve.

Ai më tej thotë se, perëndimi nuk është në gjendje të ndalojë pakicat kombëtare të bashkohen me shtetet e tyre amë. Për këtë ai e përmend referendumin e boshnjakëve të Serbisë me ndihmë të Rusisë, ndërsa Perëndimi sipas tij, nuk reagoi fare.

Timothy Less e mbështet idenë e tij në vegimin e Woodrow Wilson-it për vetëvendosje të popujve.


* Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim paraqesin mendimet dhe të drejtat e autorit, nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë së Manastiri Lajm.