Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Tropojë, ku një person i ka dhënë fund jetës me automatik dhe ka plagosur nusen e xhaxhait që ka tentuar ta ndalojë.

Pasditen e djeshme, në fshatin Kovaçe, Tropojë, në banesë është vetëvrarë me armë zjarri automatik, Kujtim Hoxhaj, 40 vjeç.

Krahas tij është plagosur aksidentalisht 54- vjeçarja H.Hoxhaj, nusja e xhaxhait të viktimës, e cila dyshohet se ka tentuar për t’i marrë armën viktimës, për të ndaluar vetëvrasjen.

E plagosura dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet paraprake dyshohet se viktima e ka kryer këtë akt në gjendje depresive. Mësojmë se viktima prej afro 20 vitesh kishte qenë emigrant në Gjermani dhe prej pak kohësh ishte kthyer në vendin e lindjes, ku mendohet se kthimi është bërë nga autoritetet gjermane, çka dyshohet se ka shkaktuar edhe gjendjen e rënduar psikologjike të tij.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar, një armë zjarri automatik, një krehër me 11 copë fishekë dhe një granatë dore të cilën e kishte në xhep të xhupit, viktima.

Rrethanat e kësaj ngjarje janë ende të paqarta, ndërkohë që materialet për ndjekje të mëtejshme i kaluan Prokurorisë së Tropojës për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve luftarake e municionit”.