Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar dërgimin e një skuadre luftanijesh amerikane në ujërat e gadishullit korean, një lëvizje që vjen pas testimeve të njëpasnjëshme të raketave balistike që ka kryer Koreja e Veriut në muajt e fundit.
Në njoftimin zyrtar, Komanda e Paqësorit, e përshkroi këtë veprim si një masë sigurie për të qëndruar në gatishmëri ndaj çdo veprimi agresiv, në kuadër të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin problematik.

Pas urdhrit, në afërsi të gadishullit u dërgua grupi Carl Vinson, i cili përbëhet nga një aeroplan mbajtëse, dhe disa luftanije të tjera me kapacitete për lansimin e sulmeve ajrore.

Në reagimet e tij të mëhershme, Presidenti Donald Trump ka ashpërsuar tonet në raport me Korenë e Veriut.

Lideri i Uashingtonit i ka kërkuar Kinës që të ndihmojë në uljen e tensionit në gadishullin korean, por theksoi se Shtetet e Bashkuara tashmë janë përgatitur për të vepruar në mënyrë të njëanshme ndaj Koresë së Veriut, në rast se do të vërejë një kërcënim për sulm me bombë bërthamore.

Përveç aftësive goditëse, skuadra e dërguar në rajon ka gjithashtu aftësinë për të neutralizuar raketa balistike, transmeton oranews.

Vetëm në muajin e fundit, Koreja e Veriut ka testuar katër raketa të tilla, të cilat kanë goditur ujërat e Detit të Japonisë.

Këshilli i Sigurimit pranë OKB’së, në sanksionet e vendosura ndaj qeverisë koreano-veriore, e ka ndaluar këtë të fundit të zhvillojë programe armësh, ndaj nuk dihet ende nëse ky organ do të vendosë ndërmarrjen e hapave të tjerë në këtë drejtim.