Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, raportohet se do të mbërrijë sërish në Tiranë javën e ardhshme. Mediat greke shkruajnë se shefi i diplomacisë greke do të zhvillojë një mini tur ballkanik, në krye të një delegacioni me pak pjesëtarë.

Sipas tyre turi do të fillojë të martën nga Tirana, do të vazhdojë në Prishtinë e Beograd e do të përfundojë në Shkup, të mërkurën. Lajmi që është publikuar në disa media greke, nuk është konfirmuar nga burimet zyrtare me të cilat komunikoi Ora News.

Mediat greke nënvizojnë se ende nuk dihet motivi dhe qëllimi i këtij turi ballkanik rrufe. Ndërkaq, e ndërlidhin me zhvillimet në negociatat greko-maqedone për çështjen e emrit, mbi të cilat ministri Kotzias informoi partitë parlamentare më herët këtë javë.