Qeveria e Aleksis Cipras ka rinisur të popullojë disa prej ishujve që kërkoheshin nga Turqia.

Bëhet fjalë për një përgjigje aspak diplomatike ndaj pretendimeve të Erdogan që prej disa kohësh ka kërkuar një rishikim të Traktatit të Lozanës së 1923, i cili ka formësuar Turqinë e sotme duke i dorëzuar Greqisë disa ishuj në afërsi të brigjeve turke.

Tani, qeveria e Athinës ka reaguar me një përgjigje që ka zënë disi në befasi Erdoganin.

Siç transmeton Kathimerini, zv/ministri grek për Lundrimin dhe Ishujt, Nektarios Santorinios ka lajmëruar se do të ndërtojë infrastruktura ushtarake dhe civile në 28 ishujt e kërkuar nga Turqia.

Përballë kërcënimit turk, Greqia ka kërkuar edhe ndihmën dhe mbështetjen e BE duke shpjeguar se lufta për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar përfaqëson interesin e gjithë Bashkimit Europian.