Gjashtë dridhje relativisht të fuqishme kanë tronditur sërish Ohrin. Tërmeti më i fortë është regjistruar sot në mëngjes në orën 7:18 minuta, me magnitudë prej 3,7 ballësh, sipas shkallës së Rihterit.

 

Vetëm pak minuta më pas, një tjetër dridhje prej 3.3 ballësh shqetësoi banorët dhe turistët. Katër tërmete të tjera u regjistruan gjatë natës prej orës 1 deri në 7 të mëngjesit. Dridhjet e tokës varionin prej 2 ballë deri në 3.3 ballë.

Sizmologët thonë se dridhjet aktuale të tokës janë pikërisht pasojë e tërmetit të 3 korrikut dhe do të vazhdojnë deri në qetësimin e pllakave tektonike, por nuk parashohin tërmete më të fuqishme se ai prej 5 ballësh.

“Ne akoma nuk mund të themi që seria e tërmeteve ka përfunduar, pra seritë e tërmetit vazhdojnë dhe ne jemi duke i ndjekur, pra i masim të gjitha tërmetet. Është normale të ketë tërmete, normalisht kjo nuk është e këndshme, por nuk janë tërmete të fuqishme siç janë në Japoni p.sh. deri në 7-8 ballë nga dy herë në vit. Prandaj nuk ka nevojë të bëjmë panik, sepse tek ne nuk kemi tërmete të atilla të fuqishme”- tha një sizmologe.

Me gjithë këtë, sizmologët kërkojnë nga kompanitë ndërtimore t’i respektojnë standardet për ndërtim, që ndërtesat e reja të mund t’iu bëjnë ballë edhe tërmeteve të fuqishme. Këto standarde u vunë pas tërmetit i cili goditi Shkupin në vitin 1963 dhe nëse respektohen të njëjtat nuk do të kemi viktima dhe qytetarët do të jenë të sigurt. (TVM2)