Autoriteti i Përgjithshëm i Aviacionit Civil të Arabisë Saudite ia ka marrë licencën kompanisë së fluturimeve “Qatar Airways” si dhe ka urdhëruar mbylljen e zyrave të saj brenda 48 orëve.
Çfarëdo licence që i lëshohet punëtorëve të “Qatar Airways” do të anulohet, po ashtu, ka thënë ky organ.

Ky vendim vjen një ditë pasi  që ky autoritet ua ndaloi të gjithë aeroplanëve të Katarit aterimin në aeroportet e Mbretërisë, pas mosmarrëveshjes më serioze mes vendeve të Gjirit.

Dje, Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni i ndërprenë marrëdhëniet me Katarin, duke e akuzuar atë se po e përkrah terrorizmin.

Ata thonë se Katari mbështet grupe terroriste duke përfshirë Vëllazërinë Myslimane, raporton BBC.

Agjencia shtetërore e lajmeve Saudite, SPA, raporton se Riadi i ka mbyllur kufijtë e vet, duke shkëputur lidhjet me Katarin nga toka, deti dhe ajri dhe duke e izoluar atë në masë të madhe.

Duke cituar zyrtarët e lartë, SPA shkruan se kjo u bë për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare nga rreziqet e terrorizmit dhe ekstremizmit.

Masa e pashembullt është parë si ndarja më serioze midis vendeve të fuqishme të Gjirit, të cilat janë gjithashtu aleate të ngushta të SHBA-së../Express/