Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se të mërkurën do të dihet kush është patriot dhe e do Kosovën, duke theksuar se “nuk kemi të drejtë t’i mbajmë qytetarët e bllokuar”.

Këto komente kryeparlamentari Veseli i bëri gjatë një interviste për Ekonomia Online, ku ka shprehur besimin se marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi do të votohet nga shumica e deputetëve, në seancën që është caktuar të mbahet të mërkurën.

” Thërras të gjithë ata që janë patriotë, që janë atdhetarë, që e duan Kosovën, koha është që tani të marrim vendime të cilat janë në interesin e qytetarëve. Ditën e mërkurë ta përfundojmë bashkërisht”, ka thënë Veseli.

Veseli thotë se pret “reflektim” edhe nga Lista Serbe dhe Vetëvendosje lidhur me demarkacionin, duke theksuar se Lista Serbe asnjëherë nuk e kushtëzuar votimin e demarkacionit me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

” Aspak. Asnjëherë deri më tani as që është hapur kjo çështje e bisedës. Dihet një fakt se Lëvizja Vetëvendosje, përveç segment të caktuar që ka një gatishmëri ndoshta individuale të votohet demarkacioni, të shohim ditën e mërkurë, është edhe Lista Serbe e cila ende nuk e ka shprehur qëndrimin e vet por nuk është biseduar asnjëherë për çështjen e Asociacionit që ndërlidhet me ratifikimin e marrëveshjes së shënimit të kufirit”, u shpreh Veseli.

Kryeparlamentari ka theksuar se në rast se kalon të mërkurën marrëveshja e demarkacionit, qytetarët mund të lëvizin pa viza më së largu në dhjetor të vitit 2018. /EkonomiaOnline/