Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka nisur vizitën zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa në ditën e parë është pritur në Abu Dhabi nga homologia e tij, Amal Abdullah Juma Karam Al Qubaisi, me të cilën kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi ndërparlamentar, i cili ka për qëllim thellimin e marrë ideve bilaterale mes Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, bën të ditur Zyra për Informim e Kuvendit të Kosovës.
“Kosova edhe pse është vend i vogël, mund të konsiderohet si model i identitetit, multikulturalizmit dhe i bashkëjetesës. Ne jemi të hapur dhe dëshirojmë të thellojmë bashkëpunimin ekonomik me Republikën e Kosovës duke nxitur investitorët tanë të investojnë në Kosovë”, ka thënë Amal Abdullah Juma Karam Al Qubaisi.

Veseli ka falënderuar Emiratet e Bashkuara Arabe për ndihmën e dhënë për Kosovën gjatë dhe pas luftës, si dhe për gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Tani është hapja e një epoke të re të një marrëdhënie me një vend i cili është shembull i zhvillimit ekonomik, në të njëjtën kohë edhe i tolerancës. Kemi të bëjmë me iniciativa të drejtpërdrejta në Republikën e Kosovës nga Emiratet e Bashkuara Arabe që ta sjellin përvojën e tyre dhe në të njëjtën kohë kapitalin në vendin tonë. Shpresoj shumë se në përfundimin e kësaj vizite do të kemi edhe rezultate konkrete që ndërlidhen me investime shumë milionëshe në Republikën tonë”, ka thënë Veseli.

Pas takimit me homologen e tij, kryeparlamentari Veseli ka takuar ministrin e shtetit për Punë të Jashtme, Anëar Bin Mohammed Gargash, me të cilin kanë diskutuar për bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve në politikën e jashtme./KP/