Pas mos votimit të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosjes për të diskutuar për rastin e vdekjes së aktivistit Astrit Dehari, deputetët e Vetëvendosjes, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës kanë lëshuar sallën e Kuvendit.

Kundër debatit ishin Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërsa votimi dështoi për mungesë të korumit, pasi që në sallë ishin të pranishëm vetëm 45 deputetë, prej të cilëve 25 kanë votuar pro, 16 kundër dhe katër kanë abstenuar.

 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke iu përgjigjur deklaratave të shefit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se po bëhet politikë me tragjedinë e Astrit Deharit.

“Politika nganjëherë është teatër, por nuk është mirë kur ka tragjedi të rënda dhe mi shndërru në teatër, për përfitime, të cilët tragjedi institucionet e Kosovës kanë m’i shku deri në fund”, ka thënë Veseli.

“Askush nuk duhet të frikësohet nga e vërteta, e vërteta do të dalë në shesh, ajo që është. Dhimbja do të mbetet sepse një njeri i Kosovës e ka humbur jetën”, ka shtuar ai pas mbledhjes se kryesisë së Kuvendit.

Kreu i Kuvendit ka thënë se anëtarët e kryesisë nga Vetëvendosje nuk morën pjesë në seancë.

“Ata nuk ishin në mbledhje, por vetëm e shfrytëzuan këtë foltore për manifestim politik”, ka thënë Veseli.

Duke folur rreth akuzave të Konjufcës se Veseli ka ndikuar te deputetët për tërheqjen e nënshkrimeve, ai i ka mohuar këto pretendime.

“Deputetët kanë liri absolute të veprimit. As nuk më kanë pyetur kur e kanë nënshkruar as kur i kanë hequr nënshkrimet”, ka shtuar Kadri Veseli.

Burimi : Insajderi.com