Ajo që ka ndodhur mbrëmë është me plot gojën një skandal. Ministri i ri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i cili u propozua nga Basha si ministër teknik, ka shkelur me të dyja këmbët ligjin.

Teksa hetuesit po sekuestronin prozhektorët, që kanë qenë të instaluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Demiraj vendosi të bllokonte aksionin, ndonëse dyshohet ata që shkuan në spital ishin irrituar nga prozhektorët e instaluar atë ditë.

Me një arrogancë të pashembullt, Demiraj urdhëroi hetuesit që të mos i sekuestrojnë 11 prozhektorët që duheshin për hetim, por vetëm njërin prejt tyre.

Me tej, siç dëgjohet në bisedën ku Demiraj flet si një i fortë rruge, ai argumenton se nuk mund t’i prishin mitingun PD-së ditën e nesërme, ndaj nuk duhet të sekuestrohen prozhektorët.

Kështu, në shkelje të rëndë të ligjit, ministri i Brendshëm i Bashës ka penguar hetimin vetëm e vetëm për t’i shërbyer Bashës. Pra, për të mos lejuar hetimin, ai argumenton se nuk duhet të mbetet pa zhvilluar mitingu i PD-së ditën e nesërme. A thua se nuk ka prozhektorë të tjerë në treg që PD mun t’i merrte për miting.

Pengimi i hetimit përbën vepër penale, e kur kjo bëhet nga ministri i Brendshëm për t’i shpëtuar “lëkurën” shefit të tij, kjo bëhet akoma më e rëndë.

Ja video ku Demiraj pengon hetimin duke urdhëruar mos-sekuestrimin e prozhektorëve që do shërbenin si provë materiale për ngjarjen e pak ditëve më parë./Lexo.al

Debati mes ministrit Demiraj dhe oficerit të Policisë gjyqësore

Ministri Demiraj: Janë për fushatë nesër.

Oficeri: Po dakord që janë për fushatë, por.

Ministri Demiraj: Ktheji të gjitha mbrapa. Merrni vetëm 1 dhe vazhdo procedurën konform ligjit. Dakord? Jo të 12-ta.

Oficeri: 11 kam unë këtu, aq sa kanë qenë në miting.

Ministri Demiraj: Po pra, por s’mund t’i marrësh të 11-ta se nesër ka miting subjekti politik. Ne nuk jemi këtu për të penguar subjektet politike.

Oficeri: Jo mo shef, se as e vë në diskutim fare unë këtë…

Ministri Demiraj: Të marrësh vetëm 1. Të tjerat… merre, 1 dhe bëje hetimin.

Kush i ka ngarkuar ata? Ktheji mbrapsht! Ku është ai i zoti i kësaj? Ke nesër aktivitet politik?

Përfaqësuesi i kompanisë: Po

Ministri Demiraj: Ku e ke?

Përfaqësuesi i kompanisë: Po s’e di, se na u ndërpre e gjithë procedura nga kjo punë.

Ministri Demiraj: Kjo s’ka sens mo… O çuna, kjo s’ka sens. Si merren 12 drita të objektit, të firmës që ka aktivitetin për subjektin politik. Me ç’a do e bëjë aktivitetin nesër ky.

Sipas Ministrit, Prokurorisë nuk i duhet të hetojë mbi të 12 prozhentorët, por i mjafton vetëm një.

Ministri Demiraj: Atë nuk është se… duhen të 12 –ta për të bërë hetim. Hetimi bëhet mbi 1 dhe dilet në konkluzion. Ajo nuk është armë që ka qëlluar dhe duhen 12 armë.

Oficeri i policisë gjyqësore tenton t’i shpjegojë se kështu ka vendosur prokurori që kryeson hetimet. Por Demiraj i kërkon të mos e zbatojë vendimin e prokurorit dhe e urdhëron t’i kthejë prozhektorët e sekuestruar.

Oficeri: O shef, ne kështu na kanë thënë…

Ministri Demiraj: Kthejini shpejt, shpejt. Urgjent! Kthejini mbrapa, vetëm 1 do merrni./lexo.al