VMRO DPMNE-ja ka vijuar kërcënimet ndaj partisë së Ahmetit përmes komunikatave pasi kjo e fundit nuk i dha mbështetje për formimin e qeverisë ndërkohë që ka përsëritur edhe kërkesën për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Partia e Gruevskit sot ka kujtuar BDI-në se pa ndihmën e saj strategjike gjatë zgjedhjeve të fundit lokale BDI nuk do të mund të fitonte në shumë komuna.

Në zgjedhjet e kaluara lokale ishte sfidë e madhe që BDI-ja të fitonte në disa komuna strategjike për këtë parti dhe mirë e kujtojmë rolin dhe përkrahjen e VMRO – DPMNE-së për BDI-në, por prapë se prapë kjo është punë e BDI-së. Do të vijnë zgjedhjet lokale dhe do ta shohim nëse vlerësimi i tyre është i saktë ose jo – theksojnë nga VMRO – DPMNE.
Ndërkohë VMRO DPMNE-ja platformën e shqiptarëve e ka cilësuar të rrezikshme për shtetin. Sipas kësaj partie, partitë politike në vend bashkë me komunitetin ndërkombëtar janë kundër ri-negocimit të Marrëveshjes së Ohrit sepse një gjë e tillë do të hapte Kutinë e Pandorës. Ky hap sipas tyre mund të nxis që edhe bashkësitë e tjera etnike përshirë edhe maqedonasit në të ardhmen të dalin me platformën e tyre.

Për sa i përket zyrtarizmit të gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë, nga VMRO-ja thonë se me BDI-në kanë diskutuar për avancimin e përdorimit të shqipes vetëm në nivel lokal por se zbatimi i saj në tërë territorin është i papranueshëm.

  • BDI dhe VMRO – DPMNE janë pajtuar të diskutojnë për përmirësimin e ligjit për gjuhës në komunat ku komunitetet tjera janë mbi 20%.
  • Për VMRO – DPMNE-në siç kanë të rëndësishëm shqiptarët, janë të rëndësishëm edhe turqit, romët, serbët, boshnjakët, vllehët.
  • Nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe nuk ka logjikë me realitetin në terren që të ketë dygjuhësi në tërë Maqedoninë.

burimi: Alsat-M