Pas të enjtes së kobshme, deputetët u kthyen në Kuvend të ndarë në dy tabore, shumica e re parlamentare që kërkoi Kabinetin e Kryetarit dhe VMRO-DPMNE-ja që për orë të tëra e uzurpoi atë.

Kryetari i ri i Kuvendit Talat Xhaferi ka dorëzuar kërkesë deri te sekretari i përgjithshëm Zharko Denkovski për të kërkuar mundësimin e hapësirave dhe përgatitjen e të gjithë procedurave administrative për fillimin e punës. Për shumicën e re, institucion nuk është Kabineti por është kryetari i sapo zgjedhur Talat Xhaferi.

 “Kryetari i ri nënshkroi të gjitha udhëzimet administrative për shërbimet në Kuvend, për t’ja mundësuar punën e tij në Kabinetin e Kryetarit të Kuvendit të cilat janë dërguar deri te sekretari i përgjithshëm, janë të arkivuar me numër të arkivit dhe të protokolluara në përputhje me rregulloren. Kemi marrë përgjigje nga sekretari I përgjithshëm I cili kërkon që vendimi për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të shpallet në gazetën zyrtare. Ne jemi të bindur se z/ Talat Xhaferi është institucion në vete, nuk është zyra por personi që është zgjedhur – deklaroi Artan Grubi, BDI.

Grubi tha se sapo të krijohen kushte për funksionimin normal të Kuvendit, Xhaferi me shkresë zyrtare do të kërkojë mandatin për formimin e Qeverisë nga Presidenti Ivanov. Por VMRO-DPMNE-ja me në krye Nikolla Gruevskin dhe Trajko Veljanovskin bllokoi për orë të tëra Kabinetin e kryetarit. Ata njoftuan se do të dorëzojnë padi penale për deputetët e LSDM-së Ferid Muhiq dhe Goran Misovski të cilët ditën e zgjedhjes së Xhaferit lexuan shkresën e ritualit zyrtar. Sipas tyre, protestuesit dënuan dhunën politike që ushtroj LSDM-ja ndaj Rregullores dhe ligjeve.

 “Edhe përpara se të ndodhë ai akt i paligjshëm, edhe sot, theksojmë se çdo hap i tillë i cili shkon në drejtim të demonstrimit të dhunës politike pa u respektuar Kushtetuta, procedurat, zakonet dhe Rregullorja, vetëm do ta zgjasë krizën politike dhe nuk janë të interes as të shtetit dhe as të qytetarëve si bartës të sovranitetit të tij – deklaroi Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

Milloshovski dhe deputetët tjerë të pakicës së re, u larguan pa dhënë përgjigje të tjera në pyetjet e gazetarëve. Por pavarësisht retorikës së tyre, Alsat M jozyrtarisht mëson se ka pasur ndërhyrje edhe nga ndërkombëtarët të cilët i kanë tërhequr vërejtjen VMRO-DPMNE-së kurse Veljanovski ka mbledhur dokumentet dhe gjërat personale nga Kabineti. Kjo nuk është konfirmuar nga partia e tij. Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së Zoran Zaev në një intervistë për “Dojçe Vele”ka theksuar se çdo gjë që bën Nikolla Gruevski, ka vetëm një synim, të bëj pazarllëk për amnisti dhe të mos përgjigjet para drejtësisë. “Amnisti nuk do të ketë. Pas gjithë asaj që dëgjoi opinioni se çfarë ka bërë Gruevski, ai duhet të dalë para gjykatës. Do të ketë sistem të pavarur gjyqësor, gjykata do ta vlerësoj fajin e tij. U kam premtuar qytetarëve, Maqedonia do të jetë shtet i të së drejtës dhe drejtësia do të vlejë për të gjithë njësoj”, ka thënë mes tjerash Zaev.

“Amnisti nuk do të ketë. Gruevski duhet të dalë para gjykatës. Do të ketë sistem të pavarur gjyqësor.U kam premtuar qytetarëve, Maqedonia do të jetë shtet i të së drejtës –thuhet në komunikatën LSDM-së.

VMRO-DPMNE-ja ka përgënjeshtruar pohimet e Zaevit duke theksuar se kjo parti nuk ka kërkuar amnisti. Pamjet e brendshme të Kuvendit, vazhdojnë të jenë dëshmi për orën e tmerrit që kaluan deputetët e shumicës dhe një pjesë e gazetarëve, pas hyrjes së dhunshme të protestuesve. Salla e pres konferencave ku u kryen aktet brutale, edhe më tej është e mbyllur për mediat. Forca të shtruara policore, gjatë gjithë ditës kanë qëndruar rreth këtij institucioni.