Pjesa e dytë në zgjedhjet e trazuara presidenciale të SHBA-së luhet sot, me votimin në Kolegjin Zgjedhor që pritet të konfirmojë zyrtarisht se miliarderi Donald Trump do të jetë president i 45 i vendit.

Amerikanët e dinë që nga fillimi i nëntorit që zoti Trump do të marrë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë, kur ai të bëjë betimin më 20 janar, dhe se zgjedhjet presidenciale nuk janë të përcaktuara nga vota popullore, por nga rezultatet në votimin në secilin prej të 50 shteteve si dhe në kryeqytetin Washington.

Fituesi i votës popullore në çdo shtet normalisht merr të gjitha votat e Kolegjit Elektoral të atij shtetit, të cilat janë të ndara në proporcion me popullsinë e shtetit. Të 538 anëtarët e kolegjit elektoral do të hedhin votat e tyre të hënën në kryeqytetet e shteteve përkatëse.

Kandidatja demokrate, ish-sekretare amerikane e shtetit Hillary Clinton, mundi zotin Trump me rreth 2.9 milion vota më shumë në votën popullore. Por republikani Donald Trump fitoi në ato gara që kanë më shumë rëndësi duke marë 302 vota të Kolegjit Elektoral kundrej 232 votave që mori zonja Klinton.

Hillari Klinton fitoi shumicën e votave në Kaliforni dhe Nju Jork që i dhanë asaj një avantazh në votën popullore në shkallë vendi, ndërsa Donald Trump fitoi shtetet e mjaftueshme për të siguruar avantazh në Kolegjin Elektoral dhe një mandat katër-vjeçar si president i vendit. Kjo do të jetë hera e pestë në historinë e SHBA-së, dhe e dyta në 16 vitet e fundit, që fituesi i votës popullore nuk fiton votën e Kolegjit Elektoral.

Në shumicën e rasteve, votimi në Kolegjin Elektoral është një formalitet. Por ndryshe është puna këtë vit.

Për shkak të garës tepër të kontestuar dhe kundërshtimit të vazhdueshëm të fitores së zotit Trump nga shumë përkrahës të zonjës Klinton, mijëra amerikanë i kanë kërkuar 306 elektorëve republikanë të Kolegjit që ta refuzojnë zotin Trump, qoftë duke votuar për zonjën Klinton apo për një tjetër republikan më të pranueshëm. Nëse votimi përfundon në barazim 269 – 269, atëherë çështja kalon në Dhomën e Përfaqësuesve e cila do të zgjedhë presidentin.

Shumica e anëtarëve të Kolegjit Elektoral janë të detyruar me ligj të votojnë për kandidatin që fitoi votat e shtetit.
Rastet që vota t’i jepet dikujt tjetër nuk janë të padëgjuara në politikën amerikane, por janë të rralla, që kur Kolegji Elektoral filloi të përdorej për herë të parë në vitin 1789.

Sipas disa njoftimeve të shtypit, pjesa më e madhe e Kolegjit pritet të mbështesës fituesin në shtetin e tyre, ndërsa vetëm një anëtar republikan i Kolegjit, Chris Suprum nga Teksasi thotë se nuk do të votojë për zotin Trump.

Chris Suprun i tha Zërit të Amerikës se ka edhe anëtarë të tjerë të Kolegjit Elektoral që do të votojnë kundër Donald Trumpit dhe së bashku po përpiqen për të siguruar numrin e nevojshëm të votave për ta kaluar çështjen në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe për këtë u duhen 37 vota.

Ai nuk pranoi të thoshte se për cilin do të votojë të hënën, por tha se Donald Trump vazhdon të sillet si demagog.

Disa analistë kanë parashikuar se mund të ketë edhe shumë të tjerë si zoti Suprum, por deri në numërimin e fletë-votimeve të Kolegjit Elektoral pasditen e 6 janarit, askush nuk e di me siguri.