Në emisionin ‘Në mbrëmje…’ te Agim Poshka, ka qenë i ftuar ish-ambasadaori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili ka folur rreth masakrës së Reçakut, zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe poashtu për situatën politike në Maqedoni. Në pyetjen sesi e sheh ai përparimin e shqiptarëve në Maqedoni nga perspektiva amerikane dhe si një ambasador me përvojë personale me Kombet e Bashkuara dhe me shumë institucione ndërkombëtare, Walker përgjigjet se shqiptarët duhet të jenë të bashkuar dhe të bëjnë presion politik, transmeton Fakte. ‘Pika e parë, mendoj se do të ishte më mirë silkur të ishit të bashkuar. Së dyti, mendoj se duhet të ushtroni shtypje sa më fort që mundeni dhe sa lejon sistemi për të kërkuar trajtim të barabartë absolut para ligjeve të Maqedonisë. Më kanë folur për diskriminim, trajtimin si qytetarë të dorë së dytë. Mendoj se ju duhet të flisni më zëshëm. Mendoj se duhet të bëni edhe gjëra të tjera. Sa më shumë që bashkëpunoni me shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës, të Luginës së Preshevës, kudo ku ka shqiptarë që kanë probleme, që pak a shumë i kanë të gjithë shqiptarët…Pika e parë është bashkimi. Bashkimi, dhe pastaj përdoreni këtë front të bashkuar, këtë energji që bota t’i dëgjojë problemet tuaja’, ka folur ndër të tjera Walker në intervistë. Walker ditëve të fundit ka qenë aktiv në vizitë në Kosovë dhe Maqedoni dhe shquhet si mik i shqiptarëve.