Sipas BDI-së, kandidatura është dakorduar mes partnerëve të koalicionit dhe do të propozohet si kandidat i vetëm, i përbashkët.

“Është vendosur që kandidati i BDI-së, por edhe i shumicës së re parlamentare, për kryetar të Kuvendit të Maqedonisë të jetë z. Talat Xhaferi. Është njëri ndër deputetët me eksperiencë më të madhe në Parlament, edhe si koordinator i grupit parlamentar, në disa mandate edhe si ish-ministër i Mbrojtjes dhe mendojmë se me efikasitet do ta kryejë punën e kryetarit të Parlamentit në kushte të divergjencave të mëdha në Parlament”,- u shpreh zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Edhe LSDM pretendon se ditën e hënë, përveç zgjedhjes së Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërime, do të zgjidhet edhe kryetari i Kuvendit dhe zëvendësit e tij.

“Presim që ditën e hënë të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, i cili do ta njoftojë Gjorge Ivanovin se është i detyruar që menjëherë të ma japë mandatin për formimin e qeverisë së re reformuese”,- ka thënë kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev gjatë takimit me ambasadoren e Bosnjë e Hercegovinës, Lepa Babiq.

Sipas Zaevit, në formë demokratike është siguruar shumicë parlamentare dhe Program për qeverinë reformuese, prandaj askush nuk guxon të bllokojë institucionet.

Mirëpo, VMRO-DPMNE këmbëngul në zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale, pasi vlerëson se LSDM me pranimin e Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare e shndërron vendin në shtet binacional.

“VMRO-DPMNE insiston që të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Duhet të dëgjohet zëri i popullit. Maqedonia po zgjidhet. Platforma e Tiranës nuk kalon”,- u shpreh Kërste Jovanovski nga VMRO-DPMNE.

Një ditë më parë, partitë politike u dakorduan rreth Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve. Partitë u pajtuan që VMRO-DPMNE të ketë gjashtë anëtarë dhe postin e kryetarit të Komisionit, LSDM të ketë pesë anëtarë, ndërsa BDI dhe Lëvizja BESA nga një anëtar.