BILANCI I NJË DRAME ELEKTORALE / Elektorati shqiptar pavetëdijshëm solli Maqedoninë në një situatë që thotë: pa ne s’keni ku shkoni! A do të jenë kësaj radhe aq të zgjuar primatët politikë shqiptarë atje për ta kuptuar këtë mesazh drejtë? Ali Ahmeti ka përgjegjësinë më të madhe si për dështimin e deritanishëm ashtu edhe për atë se çka do të ndodhë nesër.

Gruevski nuk mund të jetë shpresë e adresë shqiptare. Po aq sa edhe Zaevi. I fundit paçka se personalisht mund të jetë i hapur, por duke pasur parasysh se 80% e deputetëve të tij kanë biografi të ngjeshura për nga shqiptarofobia, çdo shpresë  përfundon në kazanin e iluzioneve të palës së shtypur ose bëhet taktikë e zgjuar e tyre për t’i munduar edhe nacionalizmat e tjerëve e jo vetëm të vetin. Si të sillen partitë shqiptare në këtë kaos të shkaktuar nga gjithë bashkë – shqiptarë e tjerë?

HUMBJA E DYFISHTË

Pa retorikën antishqiptare Gruevskit dhe garancitë se do ta ruaj Maqedoninë monoetnike nuk do t’i mjaftonin as rezervat e bankave nacionale zvicerane për t’i mbajtur kapur të vetët. Pa votën shqiptare LSDM nuk do t’ia dilte të jetë e fortë as sa shqiptarët bashkë. Janë pikërisht ato 80-100 mijë votat shqiptare që atë e bënë kaq të madhe, duke tkurrur paralelisht faktorin shqiptar në një lëvizje irelevante brenda politikës së vendit.

Po të mos ishin votuesit me plis të Zaevit, shqiptarët jo se do të ishin të përfaqësuar konform fuqisë së tyre etnike, por do të ishin edhe opozita e parë dhe më e forta brenda parlamentit të shtetit. Pra përveç fragmentarizimit ata i diskualifikojë ecja e parakohëshme drejt versionit qytetar të politikëbërjes. E parakohëshme ngase nuk ishte me vetëdije por doli nga revolta, kjo sidomos karshi palës tjetër, e cila është shumë larg hyrjes në një modus ndryshe të politizimit.

TARIFA

A do ta ketë kuptuar më në fund Ali Ahmeti se nuk bëhet politikë  konstruktive me një aparat njerëzish aq të kalbur në korrupsion dhe se masat nuk i hanë më retorikat euforike patriotike por duan mirëqenie dhe të drejta konkrete? Menduh Thaçi nëse nuk e kuptoi kësaj radhe se ka gabuar rëndë gjithë jetën saqë duhet të ikë tash saora atëherë nuk do ta kuptojë kurrë deri sa t’i këndohet jasini mbi kokë.

A e pa partia religjioze «Besa» se nuk del dot nga paralagjet e masakruara të Kumanovës dhe Studeniçani duke instrumentalizuar me fenë ndër shqiptarë edhe po i pate gjithë imamët pas shpine? A e pa ajo se efekti qe më i kundërti i mundshëm: myslimanët votuan me të madhe sllavin ortodoks edhe si reagim ndaj politikës së tyre: zgjodhën më të besueshëm kryqin se hënën e tyre stambolliane! Ç’ mesazhi donë ata më shumë? Shqiptari në Maqedoni e dinë më mirë se imamët e tyre se «bamirësia» në kohë tërmetesh me flamuj të huaj është kapje poaq e pështyrë sa edhe groshët e Gruevskit që i shpërndante nëpërmjet arkëtarëve të Ali Ahmetit.

Masat – ashtu siç e dimë nga psikologjia – në formën e paprogramuar, të pavetëdijshme, transmetuan se nuk lejojnë më të maltretohen dhe keqpërdoren as me etnokraci e më hiç me religjion, për arsye se dënojnë me votimin e atyre që i demonizojnë partitë e tyre si armiq (sllavët, krishterët e të tjera). Këtë sjellje do ta quanin psikanalitikët inteligjencë të natyrshme dhe të paorkestrueshme të masave, të cilën sidomos ballkanasit nuk e prognozojnë dot e as e llogarisin.

VEPRIMI ELEKTORAL

Gruevski, LSDM, BDI dhe «Besa» tentuan korruptimin e masave nëpërmjet shpërndarjes së parave  për votë, ofertave, premtimeve, me një fjalë ato përdorën gjitha metodat e mundshme për t’i fituar votat dhe rezultati u doli ky, i prituri: pashtegësia për njerin minimizimi për tjetrin! Ky është rezultati më i shpeshtë gjithandej ku politikat korruptojnë fragmentet e veta, të cilat pastaj tërësinë e shndërrojnë në bumerang për gjithë tok duke i bërë tokë.

Në palën shqiptare, përtej ekspozeve statike e grupore, bazuar në biografitë personale të përfaqësuesve, fituan tri kategori: kasta e të privilegjuarave (BDI 10 vende), grupi qytetar  (LRPDSH 3 + PDSH1 + RDK1 + Besa1) dhe grupi religjioz (në kuptimin e manipulimit me fé – Besa 2+PDSH1+RDK1).

E përbashkëta reale e këtij lloj ansambli është se të gjitha duan të komodohen brenda pushtetit dhe politikës dhe se asnjëra nuk mund t’i kundërvihet faktit se kështu të ndarë nuk do të dëshmohen as për të mirë e as për të keq dhe me këtë s’do ta kenë shansin e profilizimit. Gjersa fuqinë elektorale e humbën në mënyrën më të keqe të mundshme, çka mund të bëjnë tash?

OPSIONI REAL

Blerim Reka, dhe Shkëlzen Maliqi e thanë në mënyrën më të qartë të mundshme:  falë sjelljes “perfide” të masave shqiptare atje partitë shqiptare tash kanë mundësinë fenomenale ta kushtëzojnë qeverisjen e ardhshme edhe më mirë se t’i kishin 50 vende në parlamentin e vendit. Qoftë edhe me 12-13 deputetë. Por kjo s’duhet të ndodhë. Të gjitha bashkë duhet të shkojnë në koalicion me LSDM – në. Kjo për ta dënuar versionin shovenist të hapur të Gruevskit dhe për të demonstruar qëndrimin e tyre se duan udhën drejt shtetit qytetar.

Me kushtin e maksimimit të kërkesave shqiptare. A është e mundshme kjo? Po. Zijadin Sela është më pragmatiku i politikës shqiptare. Ali Ahmeti ua ka borxh këtë shqiptarëve si dëshmi të fundit për të mbetur faqebardhë si person në historinë e atij vendi. Ashtu siç duhet së paku të ikë në modusin e kërkimfaljes Menduh Thaçi nga politika. «Besa» qysh para zgjedhjeve transmetoi një zemërgjerësi të hatashme për të braktisur padronët, financuesit e saj të deritashëm në favor të “shqiptarisë”, partitë tjera si RDK janë në  “gjenezë” të më shumë të drejtave për shqiptarë, duke nisur madje nga e drejta për simbole (Rufi Osmani – Flamuri), pra gjitha këto e ngarkojnë me përgjegjësi Ali Ahmetin të veprojë në favor të interesit të përgjithshëm e jo nën diktatin e hijenave të tij që nuk ngopen kurrë. Integrimi interdependent i gjitha këtyre opsioneve në një i integron ato si në aspektin qytetar ashtu edhe në atë të interesave të atyre që përfaqësojnë de facto e jo që i imagjinojnë se si duhet të sihin.

Aliu mban fajin kryesor për gjendjen që u krijua kështu dhe tash duhet ta zgjidh atë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke ftuar të gjithë dhe duke vepruar bashkë me ta në interes të të drejtave të elektorateve, të cilat kërkojnë të gjitha të njejtën: lirinë, barazinë dhe mirëqenien!