Edhe pse është zgjedhur deputet në bazë të pozicionit që ka pasur në listën e kandidatëve në njësinë zgjedhore numër 6, Xhevat Ademi me siguri do të tërhiqet dhe mandatin do të ja dorëzojë kandidatit të ardhshëm në listë. Burime partiake në BDI për Gazetën Lajm thonë se dorëheqja e Ademit do të jetë për shkaqe morale, sepse ka humbur në fshatin e tij, Reçicë e Madhe.

BDI ka fituar gjashtë mandate në njësinë numër 6, kurse e shtata me radhë është Merita Mustafai, e cila do të merr mandatin e deputetes në rast se Ademi tërhiqet edhe zyrtarisht.

Në ndërkohë, burime partiake në BDI, thonë se nuk diskutohet aspak largimi i Bekim Nezirit nga pozita e kryetarit të Shtabit Zgjedhor të BDI-së në nivel republikan.

Largimi i Nezirit vjen si pasojë e rënies së madhe të numrit të votave të BDI-së në tërë Maqedoninë, por edhe për shkak të fiaskos në komunën Çair, prej ku edhe vjen ai.

Paraprakisht është lajmëruar se mandatin e deputetit si duket do të jetë i detyruar ta dorëzojë edhe Artan Grubi, për shkak se BDI në Saraj ka shënuar rezultat shumë më të mirë se në Çair. Nëse largohet Grubi, mandatin e tij do ta marrë Lirije Elmazi, e dyta në listë në njësinë numër 1, e cila është nga Saraji.