Një copë e mirë e “votës së shqiptarëve” nga mos-durimi më, i përbuzjes dhe i zhvleftësimit primitiv nga politikanë ahmakë, në zgjedhjet e fundit u rebelua jo me fajin e vet, dhe e shpërtheu gardhin-psikologjik të thurur nga demagogjia e “zadrugës zajaziane”, e cila e mban peng shoqërinë tashmë pesëmbëdhjetë vite. Duke mos e duruar turpin e tradhtisë politike ashiqare, shumica vendosën t’i hakmerren këtij sundimi të regjimit hibrid, duke e përdorur votën si armë për hakmarrje. Ky shpërthim i votës përtej gardhit politik, duhet t’i detyrojë politikanët-patriotë dhe nacionalistë që ta vënë gishtin në ballë dhe të mendojnë mirë e mirë se si do sillen në ardhmëri me trupin votues
Si zakonisht, pas çdo ndodhie ose beteje bëhen hesapet, dhe, çfarë do pune qoftë i vihet një emër, përkufizohet vepra dhe vlerësohet. Ne i lëmë punët zvarrë. Dhe të pakryera! Me sa duket, nuk i kemi me qejf punët e qarta. Dhe prandaj, i kemi pisk! Ashtu siç dimë t’i kemi, vetëm na. Dhe me këmbëngulje, në mënyrë të përsëritur vazhdojmë t’i kemi të tilla. Më shumë, na joshin dhe na vetëkënaqin bajraktarizmat dhe hesapet personale, se kush kujt ia ka ‘luajt at’nanë’, dhe, sa dhe si ia ka fut, se sa, vet përmbajtja dhe analizat e mundësive reale dhe dështimet që pasojnë nga kjo psikologji-perverse kolektive. Gara të kota mëhallash dhe kabadahish! Kjo, akoma na ndodh para hundësh pas njëzet e pesë vite politikë-bërje intensive, dhe me sa duket, nuk i kemi mësuar mësimet. Ne kemi ngecur në klasë dhe akoma nuk e kemi kuptuar as D’në e demokracisë dhe as P’në e politikës. Kjo nuk është shaka, por, për nime është për të ardhur keq. Askush s’ka nge për hallin tonë kolektiv! Ta them troç, askujt nuk i ha palla për prapa-mbetjen dhe primitivizmin tonë. Ndonëse, njëzëri e synojmë Evropën! Ja klasa jonë i përtyp fjalët: Europë, integrime euro-atlantike, vlerat Perëndimore, demokracia, … ja kush tjetër. Asnjë fajde. Tautologji boshe!
Zgjedhjet e 11 Dhjetorit, ishin dështimi më i madh i radhës i “çështjes sonë kombëtare”. Kështu mendoj unë. Sidomos jam i zhgënjyer nga partitë dhe lidershipi i ri, për shkak se nuk arritën ta nuhasin frymën e re të politikës. Çdo gjë është e kotë nëse huqet fryma e kohës. Për fatin tonë të keq, edhe falë dëshirave të tyre të mëdha, u huq faktorizimi politik. Rezultatet flasin në favor të tezës sime. Klasa politike duhet të merret seriozisht me analiza dhe shqyrtime të thella se, pse, u nëpërkëmb dhe u shkel pamëshirshëm vota politike e qytetarëve shqiptarë në Maqedoni. Pse dhe si zhvleftësohet dhe nënçmohet vota e qytetarit shqiptarë ? Dikush duhet ta bartë përgjegjësinë.
Mes nesh ndodh një dukuri, disi e pashpjeguar, në ditën kur çdo shoqëri qytetare synon të mobilizohet apo t’i ngjesh radhët e saj për interesin e përbashkët politik, ne përkundrazi çmobilizohemi dhe bëhemi bashibozuk, duke i bërë dëme të pandreqshme shoqërisë sonë. Allo, ne nuk kemi kohezion social, ne nuk e njohim fare interesin publik, për fat të keq joshemi vetëm nga interesat personale si qeniet më primitive. Të gjitha fijet që e mbajnë kohezionin tonë social, nuk funksionojnë fare. Ka problem mes nesh. Prandaj, veprimi (aksioni) ynë politik, tingëllon dhe kumbon si një orkestër e çakorduar.
Një copë e mirë e “votës së shqiptarëve” nga mos-durimi më, i përbuzjes dhe i zhvleftësimit primitiv nga politikanë ahmakë, në zgjedhjet e fundit u rebelua jo me fajin e vet, dhe e shpërtheu gardhin-psikologjik të thurur nga demagogjia e “zadrugës zajaziane”, e cila e mban peng shoqërinë tashmë pesëmbëdhjetë vite. Duke mos e duruar turpin e tradhtisë politike ashiqare, shumica vendosën t’i hakmerren këtij sundimi të regjimit hibrid, duke e përdorur votën si armë për hakmarrje. Ky shpërthim i votës përtej gardhit politik, duhet t’i detyrojë politikanët-patriotë dhe nacionalistë që ta vënë gishtin në ballë dhe të mendojnë mirë e mirë se si do sillen në ardhmëri me trupin votues. Të gjithë janë gabim nëse mendojnë se ky popull han kashtë. Në të ardhmen, vota hakmarrëse mund të shumëfishohet dhe jo të pakësohet. Për këtë fajtorë janë klanet politike, dhe jo qytetarët. Qytetarët kërkojnë ofertë të sinqertë politike, dhe një kontratë sociale dhe politike të qartë, të sinqertë dhe pa hile.
Megjithatë, trupi votues shqiptarë, me votimin hakmarrës u faktorizua vetë politikisht duke dalë përballë situatës politike që ta shpëtojë shtetin dhe demokracinë. Klasës politike i ngeci koci në fyt. Elektorati me votimin e programit politik të Zajevit bëri me dije se, qysh tani e tutje, e proteston tautologjinë politike që i vjen erë tradhtie, kërkon standarde bashkëkohore politike, kërkon narrativ të ri dhe sjellje të re politike. Pjesa e mirë e elektoratit të rebeluar e hodhi demagogjinë e qelbur nacionaliste të deritashëm në deponinë e mbeturinave. Narrativi nacional-romantik na sjell dëm dhe na turpëron si me miqtë ashtu edhe armiqtë. Na duhet një ‘reset’, rinisje dhe freski të gjithanshme, si në fjalorin, pamjen dhe, po ashtu në sjelljen euro-perëndimore.
Shkruan: SHAQIR ISLAMI
* Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim paraqesin mendimet dhe të drejtat e autorit, nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë së Manastiri Lajm.