Diaspora e shumtë e Maqedonisë në Australi kërkon intensifikim të bashkëpunimit midis dy vendeve, kanë theksuar në takimin e sotëm në Shkup kryeministri Zoran Zaev dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Australisë Xhuli Bishop.
“Kryeministri Zaev para ministres Bishop i prezantoi 40 ditët e para ambicioze nga formimi i Qeverisë, duke i potencuar dy qëllimet strategjike të Qeverisë, anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO. Kryeministri i nënvizoi marrëdhëniet e afërta midis dy vendeve më së shumti për shkak të diasporës së shumtë të cilën Maqedonia e ka në Australi, njofton shërbimi qeveritar për informim.

“Shpresoj se në të ardhmen ta përmirësojmë bashkëpunimin, sepse qeveritë janë këtu t’u ndihmojnë qytetarëve”, ka thënë kryeministri Zaev në takim.

Para ministres së Punëve të Jashtme e ka ngritur edhe çështjen për hapje të konsullatës së Australisë në vend, e cila, siç ka thënë, do të ishte në dobi të madh të mërgimtarëve tanë dhe familjeve të tyre këtu. “Ai gjithashtu dërgoi apel deri te ministrja Bishop, Qeveria australiane që edhe një herë ta shqyrtojë mundësinë që ta njohë Republikën e Maqedonisë me emrin kushtetues”, thuhet në kumtesë.

Duke ia uruar zgjedhjen për kryeministër ministrja Bishop ka thënë se vizita në Maqedoni e ka bindur se Qeveria e re ka hapur faqe të re që të shkruajë kapitull të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve.