Hamendësimeve se cili zyrtar do ta përfaqësojë Maqedoninë në takimin e organizuar në Bruksel me udhëheqësit e Ballkanit, nga shefja e Politikës së Jashtme dhe Çështjeve të Sigurisë së BE-së, përgjigjen ua dha vet Federica Mogherini.

Kryediplomatja europiane ka ftuar Zoran Zaevin, si kryeministrin e caktuar të vendit, që të ulet në krah të shefave të ekzekutivit të Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës.

Zaev e mori një javë më parë mandatin e krijimit të qeverisë dhe koha që ka në dispozicion për t’i propozuar Parlamentit listën e ministrave dhe programin qeverisës është 20 ditë.

Qëllimi i darkës së punës, të organizuar nga Mogherini, është që të bisedohet mbi mënyrën e kapërcimit të tensioneve në rritje në disa vende të Ballkanit Perëndimor, mbi përparimin e bashkëpunimit rajonal dhe afrimin me bllokun europian.

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Maja Koçijançiç njoftoi përpara disa ditësh se “janë ftuar kryeministrat e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët do të bisedojnë së bashku në një darkë joformale për zhvillimet në rajon dhe hapat që duhen ndërmarrë për përmirësimin e gjendjes”.

Zyrtarisht është thënë se “do të diskutohet situata në rajon”, por burime diplomatike pohojnë se fokusi do të jetë më së shumti te Maqedonia dhe Kosova, ku më 11 qershor do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Koçijançiç thotë se takimi do të jetë një mundësi e mirë, që Federica Mogherini të informohet nga dora e parë për përparimet që janë bërë në rajon, pas vizitës së saj në mars të këtij viti. / Top Channel/