Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pas takimit me eurokomesarin, Johanes Han, tha se eurokomesari ka kërkuar sa më shpejtë të formohet Qeveria.

“Fjala është fjalë. Edhe nëse thuhet me gojë, por edhe nëse shkruhet. Do ia japim materialet BDI-së, do të bëjmë gjithçka që të mbarojë procesi i mbledhjes së nënshkrimeve për formimin e Qeverisë. Por, dua të rikujtoj se kur ka negociuar me VMRO-DPMNE-në, ai Gruevskit asgjë nuk i ka kërkuar me shkrim. Ne nuk ikim nga platforma, disa herë kemi potencuar se kemi aspekt pozitiv për platformën, pasi është sfidë për diçka që për një pjesë të qytetarëve të Maqedonisë paraqet pengesë në përditshmëri. Ne e kemi hapur konceptin një shoqëri për të gjithë. Sot jam i pari nga koalicioni i LSDM-së, që kërkon nënshkrime që të fitojë mandat, kërkon nënshkrime nga partitë shqiptare që të fitojë mandate.

Zaev përsëriti qëndrimin se është vërtetuar edhe njëherë gënjeshtra e VMRO-DPMNE-së, se nuk ka kantonizim e as federalizëm dhe se gjithçka që bisedohet është në korniza të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.”, deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pas takimit me Hanin në Kuvend.

Zaev shtoi se ai është gatshëm që të bisedojë me të gjitha partitë shqiptare pasi që ta fitojë mandatin, por megjithatë shtoi se ka edhe disa “vija të kuqe”. Në pyetjen e gazetarëve në lidhje me atë që Thaçi tha se Gruevski dhe Ahmeti janë marrë vesh për Qeveri, Zaev tha se sipas të gjitha gjasave, Thaçi nuk ka qenë në shtet dhe nuk e ka ditur se çfarë ka ndodhur.