Presidenti amerikan Donald Trump u tha zyrtarëve rusë se shkarkimi i drejtorit të FBI’së, James Comey, hoqi një “presion të madh” nga shpatullat e tij.

Lajmi raportohet nga mediat amerikane, të cilat citojnë një dokument ku përmblidhet takimi i javës së kaluar me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov dhe ambasadorin rus në SHBA, Sergei Kislyak, ku Trump e ka cilësuar Comeyn si “të çmendur”.

“Sapo pushova shefin e FBI’së. Ai ishte i çmendur, vërtet i çmendur. Ndieja presion të madh për shkak të Rusisë. Tani kjo iku,” shkruhet në raportin e publikuar së fundmi në mediat amerikane.

Trump e shkarkoi James Comey nga detyra e tij si shef i FBI, pikërisht një natë përpara këtij takimi, një lëvizje që tronditi Uashingtonin, transmeton OraNews.

Kritikët akuzuan presidentin se po përpiqej të pengonte hetimin e FBI’së mbi ndërhyrjen e supozuar të Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe çdo lidhje të Moskës me bashkëpunëtorët e Trump.

Comey ka rënë dakord të japë detaje të hetimit në një seancë dëgjimore publike me Komitetin e Senatit të Inteligjencës që pritet të zhvillohet muajin e ardhshëm.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë nuk e ka kundërshtuar gjuhën e përdorur në takimin e zhvilluar në Zyrën Ovale mes Trumpit dhe përfaqësuesve rusë.

Në një tjetër zhvillim, mediat amerikane gjithashtu raportojnë se një zyrtar aktual i Shtëpisë së Bardhë është një “person i rëndësishëm interesi” në hetimin mbi marrëdhëniet e pretenduara mes fushatës së Trump dhe Rusisë.

Mediat citojnë burime anonime të cilat thonë se bëhet fjalë për një person shumë pranë presidentit, por pa e identifikuar atë tërësisht.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka mohuar se ka pasur bashkëpunim mes fushatës së Trump dhe ndonjë entiteti të huaj.