Ka kohë që në drejtim të Kosovës janë duke lundruar re të zeza, por kohëve të fundit këto re janë bërë me të dendura, edhe më të zeza, më kërcënuese që po paralajmërojnë ardhjen e një furtune të tmerrshme për popullin tonë. Janë re intrigash e provokimesh që janë duke e cenuar dhe rrezikuar pavarësinë e shtetit të Kosovës. Të bëhemi gati e të mos ia hapim derën kësaj furtune.

Para disa ditëve, zoti Ramush Haradinaj, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u arrestua në Francë, bazuar në një urdhër-arrest të lëshuar nga Serbia në vitin 2004. Ky ishte një akt i papranueshëm, një njollë e zezë në sistemin e drejtësisë së Francës, njëherësh edhe një shuplakë, goditje e rëndë për shtetin e Kosovës. Tani zoti Haradinaj është i liruar nga paraburgimi, por ai ende në njëfarë mënyre është i burgosur derisa nuk lejohet të kthehet në Kosovë. Zoti Haradinaj nuk i iku drejtësisë, por si burrat u ballafaqua me drejtësinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe doli i pafajshëm. Ky veprim i pamatur i organeve franceze është edhe një mospërfillje e kësaj Gjykate Ndërkombëtare, pjesë e së cilës është edhe Franca. Pajtohet apo nuk pajtohet dikush me qëndrimet politike te zotit Haradinaj, veprimet e tij , kjo në këtë çast nuk ka rëndësi, sepse kjo ngjarje e papritur ka të bëjë me tërë Kosovën, gjithë shqiptarët. Ndërsa udhëheqësit tanë, institucionet tona u sollën si të hutuara, të paorganizuara e të përçara, dështuan të dalin me një rezolute të përbashkët në Kuvendin e Kosovës. Madje sikur ndihej një përshtypje, sikur dikush i gëzohej arrestimit të zotit Haradinaj. Qëndroni të bashkuar e mos i fërkoni duart se, sot i ka ndodhur zotit Haradinaj, nesër mund të ndodh e ty.

Gjatë gjithë konfliktit të përgjakshëm të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar në territorin e ish Jugosllavisë, bashkësia ndërkombëtare, sidomos shtetet europiane, me heshtjen e tyre, mosveprimet e tyre në njëfarë mënyre e përkrahën Serbinë dhe fushatën e saj gjenocidale kundër popujve të tjerë te ish Jugosllaviosë, kryesisht shqiptarëve, kroatëve e myslimanëve të Bosnjes e Hercegovinës. Arsyetimi i turpshëm i tyre ishte se këta të gjithë janë njësoj. Për ta larë ndërgjegjen e tyre të vrarë, ata po mundohen që të vënë një shenjë barazimi: të githë janë njësoj, të gjithë janë fajtorë.  Pra, sipas tyre fajtor është edhe sulmuesi edhe viktima. Nëse Serbia është e interesuar t’i ndjekë kriminelët e luftës, te tillë ka mjaft në territorin e saj. A u arrestuan e u burgosen kriminelët që masakruan familjen Berisha të Suharekës, bashkëvendësit e mi?! E shumë e shumë kriminelë të tjerë që Serbia jo vetëm që nuk i dënon, por i mbron.

Arrestimi i zotit Haradinaj dhe disa veprime të BE-së ndaj Kosovës janë të papranueshme, janë simptome të një sëmundje të rëndë që e ka kapluar edhe Kosovën edhe BE-në, përkatësisht marrëdhëniet, raportet reciproke të tyre. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre sikur te dyja palët janë duke e nënvlerësuar, mohuar shtetin e Kosovës. I kanë bllokuar qytetarët e Kosovës, duke mos e hequr regjimin e vizave. Me demagogji e dyfytyrësi (hipokrizi) trumpetojnë se qytetarët e Kosovës janë pjesë e Europës, qytetarë të Europës. Dhe vërtet jemi. Por siç duket, për ta jemi ajo pjesa e padëshiruar e Europës, sepse dy milionë banorëve të Kosovës u mohohet lëvizja e lire në kontinentin e tyre. Ishte pikërisht kjo botë e qytetëruar që ishte kundër “perdes së hekurt”, murit te Berlinit që e ndanin kontinentin tonë, por po kjo Europë e ka vendosur një “perde te hekurt” për qytetarët e Kosovës, toleron bllokimin e urave, ngritjen e mureve ndarës në Kosovë. Si mund të kesh marrëdhënie të mira me një vend që bllokon ura, ndërton mure ndarës, sic është duke bërë Serbia në tokën e Kosovës, shtet i pavarur, i njohur nga ShBA-të dhe një pjesë e mirë e shteteve të Europës dhe të botë ?!

Ne u jemi mirënjohës përjetë të gjithë miqve tanë që na përkrahën në ditët tona më të vështira, por sot disa nga ata nuk janë duke u sjellur si miq të vërtetë. Disa kanë filluar ta përkëdhelin Serbinë. Miku i mirë, miku i vërtetë nuk të vë në pozitë të palakueshme, në pozitë të vështirë. Kërkesa e ndërkombëtarëve për Asociacionin e Komunave Serbe dhe shenjëzimin (demarkacionin) me Malin e Zi në format e tanishme janë të papranueshme, e dëmtojnë Kosovën. Asnjëri nga këto shtete nuk do të pranonte një gjë të tillë në territorin e shtetit të tyre. Udhëheqësit e Kosovës duhet t’i ngulin këmbë dhe t’i mbrojnë interesat e Kosovës. Ne i dimë më mirë problemet tona sesa ndërkombëtarët. Ata nuk do të jetojnë në Kosovë, ne do të jetojmë dhe do të ballafaqohemi me këto probleme tërë jetën tonë. “Mikun prite mirë, nderoje, por zot shtëpie mos e bëj”, thotë një fjalë e urtë shqiptare. Ne duhet të këshillohemi me ta, t’i dëgjojmë kur e kanë mirë e me vend, por vendimet përfundimtare duhet t’i marrim vetë.

Shqiptarët ndoshta janë të varfër, e sipas disave, “të prapambetur”, por shqiptarët kanë një kod moral e etik të lartë, kanë shpirt njerëzor e fisnik – janë të mëshirshëm. Kur Europa e “qytetëruar” po shfaroste hebrenjtë, shqiptarët e “prapambetur” i shpëtuan ata nga vdekja e sigurt. Kur gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas kapitullimit të Italisë, shqiptarët i mbrojtën dhe i strehuan ushtarët italianë, ish pushtuesit e tyre, bashkëkombësit e Komisioneres Mogherini.

Udhëheqësit tanë nuk i rrezatojnë, nuk i paraqesin vlerat tona kombëtare e njerëzore të popullit tonë, prandaj sillen me përulje, me servilizëm. Ata nuk janë duke i mbrojtur interesat e Kosovës, por interesat e tyre vetanake (personale) dhe të klaneve të tyre. Udhëheqësit e kompromituar, te korruptuar e të një mendësie provinciale askush nuk i merr seriozisht. Pranimi, nënshkrimi i marrëveshjeve të dëmshme, të papranueshme për Kosovën, do të ketë rrjedhoja shumë negative për të ardhmen tonë dhe gjithmonë do të jenë burim i trazirave dhe konflikteve.

Erdhëm edhe te provokimi më i ri që është duke ndodhur tani: nisja e trenit pa orar nga Beogradi për në Mitrovicë, trenit provokues, “Kosova është Serbi”. Nisja e këtij treni për në territorin e Kosovës është cenim i shtetësisë se Kosovës. Kur jam duke shkruar këto radhë, mediat janë duke njoftuar se ky tren është kthyer me bisht nën shalë andej prej nga është nisur. Ky është veprim i drejtë dhe i domosdoshëm për t’i treguar Serbisë, përkrahësve të tyre dhe gjithë botës këmbënguljen tonë, se ne jemi zot në tokën tonë. Ne duhet t’i njohim mirë serbët dhe Serbinë: ata nuk dinë kur është mjaft. Sot treni, nesër tanket. Kohëve të fundit është shtuar bashkëpunimi dhe janë shpeshtuar bashkëveprimet, angazhimet e Serbisë me Rusinë e Putinit. Bashkëveprimi i politikës gjenocidale të Serbisë me carizmin shtrirës, zgjerues (ekspansionist) të Putinit janë një kombinim shumë i dëmshëm për Kosovën dhe paqen në rajon.

Serbia me këto provokime është duke i provuar ujërat, është duke e matur pulsin e shqiptarëve dhe së bashkësisë ndërkombëtare: BE-së dhe ShBA-ve. Fatkeqësisht, në këtë çast po duket se ky puls është në gjendje të vdekjes klinike. Serbët e vunë këtë tren në binarët drejt Kosovës, sepse po shohin se treni i politikës së Kosovës dhe BE-së ndaj Serbisë e Kosovës është jashtë të gjitha binarëve.

Zoti Vuciq, Kosova një ditë do t’i lejojë trenat nga Serbia, kur ju  të vini me trenin e paqes e të kërkoni falje për krimet e shtetit tënd e të përkulesh përpara viktimave të panumërta, t’i paguani dëmet e luftës, ta njihni shtetin e Kosovës dhe të betoheni se gjëra të tilla nuk do të ndodhin më kurrë. Për të tjerat mund të flasim më vonë.

është koha që Kosova të qëndrojë në këmbët e veta. T’i hapim veshët e sytë se këmbanat po bien kumbueshëm për ne, për Kosovën. Shqiptarë zgjohuni: Pavarësia e shtetit të Kosovës është në rrezik! Ndoshta kjo dikujt i duket e pabesueshme, por shumë gjëra të papritura e të pabesueshme kanë ndodhur në hapësirat tona, gjatë gjithë historisë sonë. Pozitë, opozitë leni zënkat meskine e të pakuptimta dhe merruni seriozisht me çështjet madhore të Kosovës e të kombit tonë. E ardhmja e Kosovës është në pikëpyetje, nesër mund të jetë tepër vonë.

*Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.


* Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim paraqesin mendimet dhe të drejtat e autorit, nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë së Manastiri Lajm.