Ne do ta mbështesim secilin që ka për qëllim luftën kundër kriminalitetit të organizuar, deklaroi kreu i Prokurorisë Publike Themelore, Marko Zvrlevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për ta komentuar punën e deritanishme të PPS-së.
“Nuk kam ndonjë mendim të veçantë. Ligji për formimin e PPS u miratua ashtu siç u miratua. Ne ligjet i respektojmë dhe  normalisht se ne do të mbështesim secilin që ka për qëllim të luftojë kundër kriminalitetit”, tha Marko Zvrlevski, Kryetar i PPTH-së.

Zvrlevski nuk komentoi se a duhet të vazhdohet mandati i prokurorisë speciale. Në pyetjen për shfrytëzimin e bisedave  të përgjuara si prova materiale në procedurë gjyqësore, Zvrlevski thotë se cilado provë që mund të jetë e paligjshme, nga ana e ekspertëve interpretohet dhe vështrohet nga prizmi i teorisë, praktikës dhe ligjshmërisë.

Nga ana tjetër, Profesori universitar, Gordan Kalajxhiev, mendon se sikur provat nga bisedat e përgjuara nuk do të vlenin, atëherë sipas nenin 12  të Kodit penal, nuk do të duhej të ekzistonte fare Prokuroria Speciale.

“Sikur kjo ndalesë të vlente për persona të tretë, jo vetëm për policinë, atëherë kjo do të nënkuptonte që kjo Prokurori nuk do të kishte mundësi të funksionojë,  për shkak se provat të cilat do ti shqyrtonte, do të ishin të siguruara nga bisedat e përgjuara. Nuk duhet të interpretohet se PPS në mënyrë joligjore i ka siguruar ato, për shkak se kjo nuk është e vërtetë”, u shpreh Gordan Kalajxhiev, Profesor Universitar.

Kryetari i Shoqatës së të drejtës penale dhe kriminologjisë, Trpe Stojanovski thotë se PPS duhet të marrë mbështetje nga institucionet, sepse sipas tij kjo prokurori paraqet instrument për stabilizimin e gjendjes sa i takon sundimit të së drejtës.

“Përveç Prokurorisë së rregullt, është Prokuroria Speciale ajo që me përkushtim të madh dhe entuziazëm punon për të siguruar dhe dëshmuar prova, të cilat janë nën kompetencë të tyre dhe të cilët meritojnë mbështetje, për shkak se ato janë një instrument i cili kontribuon për stabilizimin e gjendjes në sferën e së drejtës”, tha Trpe Stojanovski, Kryetar i SHDPK-së.

Udhëheqësi i Qendrës për hulumtime strategjike, Vllado Kambovski, thotë se shoqëria maqedonase duhet të përballet me të vërtetën në mënyrë që t’i japë fund krizës.

“E drejta nuk mund të funksionojë pa të vërtetën dhe drejtësinë për shkak se ato janë dy idetë kryesore sipas të cilave udhëhiqet. Qëllimi i procedurës është që çdo fajtor të dënohet, ndërsa të pafajshmit të mbrohen dhe të lirohen. Si do të dinim se kush është fajtori nëse nuk e vërtetojmë të vërtetën”, tha Vllado Kambovski, Akademik.

Funksionimi efikas i së drejtës penale dhe përdorimi dhe vërtetimi  i provave  si bazë për vërtetimin e së vërtetës dhe drejtësisë, ishin tema kryesore të debatit të sotëm i organizuar nga Shoqata për të drejtën penale dhe kriminologji. Në debat morën pjesë profesorë universitarë, përfaqësues të ASHAM dhe të ambasadës amerikane në Shkup.