Marc Marquez ka njoftuar se do të jetë pjesë e Honda deri në vitin 2020. Spanjolli, Marc Marquez ka njoftuar se ka vazhduar kontratën me Honda dhe do të jetë pjesë e saj në MotoGP. Me kontratën e re Marquez do të qëndrojë në Honda deri në fund të sezonit të vitit 2020.

Lajmin e ka bërë të ditur spanjolli përmes një postimi në Twitter.

“Jam shumë i lumtur që do të vazhdoj të garoj me Hondën në MotoGP. Jam krenar që jam pjesë e familjes Honda dhe vlerësoj në maksimum mënyrën sesi skuadra më jep më të mirën, për çdo gjë që kam nevojë. Dy testet e para zyrtare shkuan mirë dhe tani, me rinovimin e kontratës mund të përqëndrohem tërësisht te Botërori”, shkruan Marquez.

Marc Marquez, kampion bote edhe në kategoritë 125 dhe 250 kubikë, u bë pjesë e elitës së motosportit, MotoGP në vitin 2013, pikërisht me “Repsol Honda”, duke fituar menjëherë titullin kampion bote. /Express/