Këshilltari në Asamblenë e New York-ut, Mark Gjonaj shprehet se Rusia po kërkon me çdo kusht që të rrisë influencën e saj në Shqipëri dhe për këtë arsye ka nisur të investojë në sektorin mediatik duke blerë një televizion, tre portale dhe një gazetë.

Sipas Gjonajt, sipërmarrës dhe gazetarë rusë kanë vizituar ambientet e këtij televizoni ku kanë diskutuar edhe për instalimin e aparaturave të reja satelitore për transmetim në ‘HD’.

Ndërkohë, këshillari shqiptaro-amerikan thekson se disa televizione janë vetëofruar të transmetojnë programe pro-Rusisë kundrejt parave ose shitjes së aksioneve. Gjonaj thekson se bëhet fjalë për shifra që shkojnë nga 1 euro në 1 milion e 400 mijë euro .

Ai shprehet se tashmë tre portale zotërohen nga rusët dhe po përgatitet blerja e një gazete me tirazh të konsiderueshëm.

Gjonaj deklaron se shërbimet sekrete ruse (SVR) dhe shërbimi i Ushtrisë (GRU) kanë ndërtuar strategji të sofistikuara të luftës mediatike dhe Shqipëria është pjesë e rrezes së tyre.

“Mos pasqyrimi i kësaj marrëveshje nga mediat shqiptare lidhet ngushtësisht me interesat e disa prej gazetarëve/analistëve/studiuesve dhe mediave shqiptare të caktuara, të cilat kanë lidhur “kontratë bashkëpunimi” me ambasadën ruse në Tiranë. Këta individë përdoren për të përhapur/realizuar qëllimet e ngushta të Moskës për të rritur influencën e te në opinion publik shqiptarë dhe me gjerë. Këto forma e metoda që po përdoren në Tiranë janë të njohura në shumë vende perëndimore”, shkruan ndër të tjera Gjonaj./politiko.al